Artikujt në Wikipedia dhe projektet e tjera Wiki janë hapësira bashkëpunuese dhe të hapura për redaktim nga të gjithë. Kjo nënkupton se janë gjithmonë të hapura për t’u shtuar, zgjeruar dhe përmirësuar. Qëllimi ynë si Wikimedian-ë është ofrimi i materialeve sa më cilësore dhe pa gabime për lexuesit, e për këtë mund të kontribuoni edhe ju.
Kur shkruani artikuj në Wikipedia duhet të keni parasysh se ndonëse jeni duke shkruar në enciklopedi online, mënyra e shkrimit nuk dallon shumë nga shkrimet e tjera enciklopedike. Ndaj, një nga aspektet për të cilat duhet të jeni të vëmendshëm, kur redaktoni në gjuhën shqipe, është drejtshkrimi.
Wikimedian-ët e Gjuhës Shqipe do të ndajnë me ju disa këshilla dhe fjalorë të cilët mund t’ju ndihmojnë, në rast se dyshoni për kuptimin, drejtshkrimin apo përkthimin e fjalëve në gjuhën shqipe. Edhe pse gabimet janë të njerëzishme, natyra e projekteve Wiki na mundëson që secili nga ne, me njohuritë tona, t’i përmirësojmë përmbajtjet e tyre vazhdimisht.
- Titujt e artikujve në Wikipedia vendosini gjithmonë në trajtën e shquar, p.sh.: Dielli.
- Përmirësimi i titujve të artikujve në Wikipedia shqip nuk është i lejuar, pasi humbet lidhja e tij dhe ndërlidhja me artikuj të tjerë. Në këto raste duhet të përdorni opsionin “zhvendose” të cilin e shihni vetëm, kur jeni të regjistruar si përdorues në Wikipedia.
- Përdorni shkronjat Ë, Ç, ë, ç në fjalët e duhura. Për ta pasur më të lehtë, ktheni tastierën në gjuhën shqipe. Shikoni disa nga udhëzimet se si ta bëni, të ofruara nga Wikipedian-ët, në këtë Wiki artikull.
- Nëse para publikimit të artikullit preferoni që së pari ta shkruani si Word Document, mund të shkarkoni veglat e kontrollit gjuhësor të Microsoft Office 2016 – shqip.
- Nëse nuk keni fjalorë shqip-shqip te të cilët referoheni për kuptimet e fjalëve, ju sugjerojmë Wiktionary fjalorin e lirë të Wikimedia-s, po ashtu i hapur të kontribuohet nga ju.
- Fjalor tjetër elektronik i pasur për nga sasia është edhe fjalë.al.
- Mundësi tjetër për fjalor është të shkarkoni add-on të fjalorit shqip në shfletuesin tuaj. (i disponueshëm vetëm në shfletuesin Firefox)
Për çdo sugjerim të platformave që mund të përdoren nga redaktorët për qëllime të ngjashme, ju lutem ndajini me ne tek: info@wikimediashqip.org, dhe ne do të sigurohemi t’i ndajmë me Wikimedian-ët e tjerë.