Wikimedian-ët e Gjuhës Shqipe bëhen pjesë e fushatës botërore Wiki Loves Living Heritage duke organizuar përgjatë periudhës 5 qershor – 9 korrik Wiki Loves Living Heritage in Albania & Kosovo 2023, një aktivitet që ka për qëllim mbledhjen e përrallave, rrëfimeve dhe gojëdhënave nga dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe përmes regjistrimeve zanore në Wikimedia Commons.
Wiki Loves Living Heritage është një nismë botërore e mbështetur nga UNESCO dhe e drejtuar nga komuniteti wiki, që u bën thirrje praktikuesve të trashëgimisë, vullnetarëve të Wikimedia-s dhe institucioneve kulturore në mbarë botën për të dokumentuar, festuar dhe mbrojtur trashëgiminë e tyre shpirtërore.
Përgjatë këtij aktiviteti synohet vendosja e listave të trashëgimisë së mbrojtur shpirtërore të Shqipërisë dhe Kosovës në Wikidata si dhe bashkëpunimi me kontribues individualë, institucione kulturore, fusha përkatëse akademike të studimit dhe shoqata që merren me arkivim dhe etnologji për të dokumentuar të folmet e ndryshme kudo ku flitet gjuha shqipe.
Nëse keni nevojë për ndihmë me ngarkimin e materialit, mund të shihni videon:
Ngarkimi
Ngarkimet do të jenë regjistrime zanore të përrallave, rrëfimeve dhe gojëdhënave.
Përshkrimi i ngarkimit duhet të përmbajë të dhënat e mëposhtme:
- Gjinia e folësit;
- Mosha e folësit;
- Origjina gjeografike e folësit;
- Disa fjalë rreth folësit;
- Përshkrim të shkurtër të regjistrimit;
Për të ngarkuar materialin ju duhet të keni llogari në projektet Wiki. Nëse nuk keni llogari, mund ta hapni këtu.