Wikipedia është produkt i mijëra kontributeve të redaktorëve, duke ndihmuar me hulumtim dhe gjetje të referencave, ekspertizë teknike, ilustrim të artikullit apo përmisim të gjuhës.

Në Wikipedia askush nuk zotëron artikuj, prandaj nëse shihni një problem ju mund të kontribuoni duke e përmisuar atë. Gjithkush inkurajohet të redaktoj artikujt, të shtojë përmbajtje dhe të krijojë artikuj të rinj nëse kanë njohuri për temën në fjalë ose janë të gatshëm të bëjnë kërkimet e nevojshme për ta përmirësuar atë.

Gjatë redaktimit në Wikipedia duhet të keni parasysh që të përdorni një fjalor të gjerë dhe jo-teknik të termave duke mos përdorur shprehje që lexuesit mund të mos i dinë. Nëse një artikull është shkruar në një mënyrë shumë teknike, por materiali lejon një shpjegim më të kuptueshëm, atëherë redaktorët rekomandohen ta rishkruajnë atë.

Redaktimi në Wikipedia është relativisht i lehtë i cili mund të bëhet përmes 2 metodave:

  • Përpunimi burimor
  • Përpunimi pamor
Përpunimi burimor

Redaktimi i artikullit nëpërmjet “përpunimit burimor” fillon duke klikuar në butonin “Përpunoni burim” lartë në anën e djathtë të artikullit.

Kjo do t’ju çojë në një faqe të re me një kuti teksti që përmban tekstin redaktues të faqes që po shihni. Në këtë kuti, ju bëni redaktimet e synuara, të cilat i formatoni duke përdorur sintaksen Wiki.

Sintaksa Wiki ka disa rregulla të cilat formatojnë artikullin dhe lejojnë shtimin e elementeve si fotografi, tabela etj. Brezi i redaktimit si dhe lista e shenjave Wiki ju ndihmon gjatë redaktimit tuaj në Wikipedia. Duhet ta keni parasysh që të mos bëni gabime teknike, pasi që sistemi do ta njoh si formatim të veçantë.

Rregullat e Wiki Sintaksës që duhet të përdoren gjatë redaktimit burimor

Artikulli i Wikipedia-s ndahet me tituj dhe nëntituj, ku secili paragraf ndahet duke lënë një rresh bosh.

Komuniteti i Wikipedias ka zhvilluar udhëzime mbi stilin për t’i bërë një formë të standarizuar të artikujve, duke mundësuar lexueshmëri më të lehtë.

Nëse në një faqe shtoni informacion, shtoni edhe burimet që e mbështesin atë, pasi informacionet pa referenca do të fshihen.

Në fund të redaktimit, ju duhet të shkruani një përmbledhje të shkurtër duke treguar se çfarë keni redaktuar gjatë punës. Butoni “Parapamje” ju mundëson ta shihni si do të duket faqja e re e redaktuar. Në fund, për të publikuar ndryshimet shtyp butonin “Kryej ndryshimet” nga i cili artikulli i redaktuar publikohet.

Përpunimi pamor

Përpunimi pamor është metodë redaktimi në Wikipedia ku ju shihni artikullin ashtu siç duket kur publikohet. Edhe pse “përpunimi pamor” është relativisht më i lehtë për t’u përdorur, kjo metodë është ende në zhvillim prandaj ka ende kufizime dhe mangësi. “Përpunimi pamor” është në dispozicion për faqet e artikujve por jo për faqet e diskutimit.

Ndihmësi i redaktimit pamor në Wikipedia

Kur shtypni butonin “Redakto”, sistemi automatikisht ju drejton te faqja e “përpunimit pamor”. Në krye të ekranit do shihni brezin e veglave nga ku ju mund të formatoni tekstin:

  • me tituj dhe nëntituj,
  • rregullim të tekstit me gërma të trasha apo të pjerrëta,
  • krijimin e listave,
  • të shtoni vegza, fotografi apo tabela,
  • krijoni citime.  

Në momentin që jeni të kënaqur me redaktimin, shkruani përmbledhjen, shikoni parapamjen dhe publikoni ndryshimet e bëra.

Butoni “Shqyrtoni ndryshimet tuaja” ju tregon kodin burimor të rregullave Wiki për ndryshimet që keni bërë. Butoni “Rikthejuni përpunimit” ju kthen në faqen që keni përpunuar, ku mund të bëni më shumë ndryshime (mund të publikoni të gjitha redaktimet tuaja më vonë).

Dritarja e përmbledhjes së redaktimit para publikimit të artikullit

Cilëndo metodë redaktimi që përdorni nuk ka rëndësi, mjafton që të filloni dhe të kontribuoni njohuritë tuaja në Wikipedia Shqip. Nëse jeni redaktor i ri, shiko artikujt tjerë asistues që kemi krijuar në kategorinë “Fillo në Wiki”, ose vizito faqet e shumta ndihmëse që kanë krijuar Wikipedianët. Nëse jeni të gatshëm t’i dhuroni njohuritë tuaja në Wikipedia, ju mund të filloni kontributin tuaj duke u bërë pjesë e konkursit “Wikimedia CEE Spring 2019”, e cila është e hapur deri më 31 maj 2019. 

Shqipëria dhe Kosova pjesë e Wikimedia CEE Spring 2019

Për t’u bërë pjesë e kampanjës vizito këtë faqe, ku gjeni rregullat, vlerësimet dhe vegzën për regjistrim.

Për pytje apo ndihmë teknike na kontaktoni në: info@wikimediashqip.org ose sqwikimediansug@gmail.com.

Leave a Reply